Komuniteti Shqiptar Komuniteti shqiptar është komuniteti shumicë në Kosovë.
Shpërndarja gjeografike
Komunat ku shqiptarët janë në pakicë janë këto në vijim:
Leposaviq: 1%1 , përhapur në tri fshatrat një-etnike Koshutovë, Bistricë e Shalës dhe Cerajë.
Shtërpcë: 24.5%, që jetojnë në fshatrat një-etnike të tilla si Brezovicë apo Brod.
Zubin Potok: 11.6%, të përqendruar në lindje të komunës, kryesisht në fshatin Çabër dhe në zonën përreth fshatit.
Zveçan: 4.5%, kryesisht të përqendruar në qytezën e Zveçanit dhe në fshatrat Boletin, Lipë dhe Zhazhë.
Kultura dhe feja
Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë, megjithëse ekzistojnë disa pasues të sektit islamik të dervishëve, i njohur si bektashizëm, dhe disa praktikojnë katolicizmin, megjithëse, sa i përket përqindjes, raportet dallojnë.2 Ekziston edhe një numër i vogël ortodoks shqiptar.
Gjuha
Shqiptarët e Kosovës flasin shqipen standarde.
Shqipja është njëra nga dy gjuhët zyrtare të Kosovës, së bashku me serbishten.
Problemet kryesore me të cilat përballen
Përfaqësimi politik
Në secilën nga këto katër komuna ku shqiptarët janë në pakicë, përfaqësimi politik i shqiptarëve paraqet problem. Pasi komuniteti serb bojkotoi zgjedhjet zyrtare të nëntorit 2007, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) emëroi disa shqiptarë në institucionet zyrtare në Shtërpcë dhe Zubin Potok (5 dhe 2, përkatësisht).
Siguria dhe liria e lëvizjes
Në Leposaviq, shqiptarët përballen me disa kufizime në lirinë e lëvizjes, dhe përfaqësimi i shqiptarëve në në forcat e sigurisë në këtë zonë është 0%. Në Zubin Potok, gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur disa incidente të vogla ndër-etnike, por komuniteti shqiptar ndihet i lirë për të udhëtuar brenda fshatit Çabër dhe në pjesën tjetër të Kosovës.
Ekonomia
Në Leposaviq norma e papunësisë në mesin e shqiptarëve është e lartë, afro 90%. Kjo i atribuohet mungesës së kualifikimeve, mungesës së qasjes në informata në lidhje me vendet e punës, dhe mungesës së bizneseve që veprojnë në komunë. Në Shtërpcë, norma e papunësisë në mesin e shqiptarëve është paksa më e ulët, afro 65-75%. Në Zubin Potok, norma e papunësisë është e ngjashme, afro 60%, dhe shumica e shqiptarëve janë të punësuar në sektorin e bujqësisë dhe në bizneset e vogla në rajonin e Mitrovicës. Megjithatë, gjendja ekonomike në komunë është veçanërisht e zymtë; ka shumë pak investime dhe mundësi punësimi. Në Zveçan nuk ka shifra të sakta për normën e papunësisë në mesin e shqiptarëve. Në përgjithësi, problemet kryesore ekonomike me të cilat përballet komuna janë mungesa e investimeve dhe mungesa e industrisë private.
Arsimi
Në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, secila komunë ka vetëm nga një shkollë fillore që ofron arsimim në gjuhën shqipe. Për arsimin e lartë, studentët shqiptarë duhet të shkojnë në Prishtinë dhe Mitrovicë. Kështu, problemi kryesor për komunitetin shqiptar në këto komuna është mungesa e arsimimit të lartë në shqip.
Në Shtërpcë ekzistojnë objekte të arsimit para-shkollor, fillor dhe të mesëm, si në shqip ashtu edhe në serbisht.
Qasja në kujdesin shëndetësor
Në përgjithësi, komuniteti shqiptar nuk ka raportuar vështirësi sa i përket qasjes në kujdesin shëndetësor në ndonjë prej komunave, ndonëse procedura më të ndërlikuara kërkojnë që të udhëtohet në klinika më të mëdha në zona të tjera.
Qasja në institucione të tjera publike
Në Leposaviq, megjithëse të gjitha dokumentet përkthehen në gjuhët zyrtare të Kosovës, komuniteti shqiptar përballet me disa vështirësi sa i përket qasjes në ose komunikimit me institucionet publike, dhe përballet me kufizime të herëpashershme të lirisë së lëvizjes.
1 Përqindjet i referohen popullsisë komunale
2 Vickers, në librin e saj të vitit 1998 Between Serb and Albanian (shq. Në Mes të Serbishtes dhe Shqipes) deklaron se 10 përqind e 2 milionë kosovarëve janë katolikë (xvii), ashtu siç thuhet në Yugoslavia: A Country Study (shq. Jugosllavia: Studim mbi Vendin) (1992, 87). Burime të tjera vënë numrin e katolikëve kosovarë tek 50-70,000 (Hall 1992, 87; MRG 1997, 252; The Washington Post, 15 mars 1998).
Komuniteti Serb Shpërndarja gjeografike
Shumica e serbëve të Kosovës jetojnë në veriun e populluar me serbë ose në enklava një-etnike në pjesët e tjera të Kosovës. Përafërsisht një e treta e tyre jeton në komunat me shumicë serbe të Zveçanit (95% e popullatës komunale), Leposaviqit (95%), Zubin Potokut (89,4%) dhe në pjesën veriore të Mitrovicës (90%). Në jug të lumit Ibër serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në Shtërpcë (75%) dhe Novobërdë (40%).
Pjesa tjetër e pjesëtarëve të komunitetit serb janë të shpërndarë nëpër fshatra në mbarë Kosovën, duke përbërë në mes të 5% dhe 20% të popullatës komunale në:
Kamenicë 14%, me rreth 200, të cilët jetojnë në qytetin e Kamenicës, dhe pjesa e mbetur banojnë në periferi të qytetit ose në fshatrat një-etnike përreth komunës, si Ranillug, Kormiljane dhe Hajnovc.
Fushë Kosovë 7.02%, të cilët jetojnë kryesisht në fshatrat Uglare, Kuzmin, Batushë dhe Bresje.
Gjilan 12.8%, komunitete të vogla të cilët banojnë në qytetin e Gjilanit, kurse pjesa e mbetur jetojnë në fshatrat një-etnike të komunës, si Kufce, Shillovë, Budrigë e Poshtme dhe Partesh.
Lipjan 12.7%, kryesisht në fshatrat serbe/rome në vijim: Gushtericë e Epërme, Gushtericë, Lepinë, Radevë, Skullan, Suvidoll, Lagja e Re, Gracë, Dobratin dhe Rubovc.
Mitrovicë 20% (93% në veri), të përqendruar kryesisht në pjesën veriore të qytetit.
Obiliq 10.9%, të cilët jetojnë pothuajse krejtësisht në fshatrat serbe Plemetin, Milloshevë, Babimoc, Caravodicë dhe Janjina Voda.
Prishtinë 5.9%, të cilët janë të vendosur kryesisht në Graçanicë, por ka edhe komunitete të e vogla në disa nga fshatrat përreth Graçanicës, si Llapje Sello, Preoc dhe disa familje serbe që jetojnë në ndërtesën e YU Programit në qytetin e Prishtinës.
Viti 7.68%, të përqendruar në fshatrat Gernqarë, Kllokot dhe Urbofc.
Vushtrri 5.45%, kryesisht në fshatin një-etnik Prelluzhë, dhe disa komunitete më të vogla jetojnë në fshatrat Gojbulë dhe Gracë.
Serbët përbëjnë midis 0.01% dhe 5% të popullsisë së komunës në:
Rahovec 2.5%, kryesisht në pjesën veriore të qytezës së Rahovecit ose në fshatin një-etnik Hoçë e Madhe.
Klinë 1.51%, kryesisht në qytezën e Klinës, por edhe në fshatrat shumë-etnike Videjë, Dresnik, Klinavc, Bingjë, Grabcë dhe Berkovë.
Istog 1.11%, të përqendruar kryesisht në qytezën e Istogut, por edhe në fshatrat e përziera Dobrushë, Kashicë, Banjë, Corolluk, Lubovë, Llukafc i Begut, Tomoc, Gurrakoc, Serbobran, Kovragë, Llukavc i Thatë, Veriq, Dubravë, Cerrcë, Zallq, Drejë, Oprashkë, Kosh, Saradran, Kashicë, Osojan, Çerkolez, Dragolevac dhe Muzhevinë.
Pejë 1%, të përqendruar kryesisht në qytetin e Pejës dhe në fshatrat Bellopolje, Cigë, Brestovik, Gorazhdevc.
Skënderaj 0.47%, të cilët jetojnë kryesisht në qytezën e Skenderajt, kurse të tjerët në fshatrat e banuara kryesisht me serbë Bajë dhe Syriganë.
Prizren 0.25%, të cilët jetojnë kryesisht në qytetin e Prizrenit, në Zhupë dhe në pjesën rurale të Prizrenit.
Podujevë 0.02%, afër kufirit me Serbinë.
Deçan 0.01%, kryesisht kleri ortodoks serbe, të cilët banojnë në manastirin e rëndësishëm ortodokse Visoki të Deçanit.
Ferizaj 0.01%, të përqendruar në fshatrat Bablak, Babushi serb dhe Talinoc i Muhaxherëve.
Kultura dhe feja
Komuniteti serb është komuniteti i dytë më i madh në Kosovë. Serbët e Kosovës përbëjnë rreth 6% të popullsisë së përgjithshme të vendit, gjë që përputhet e numrin e përgjithshëm afërsisht 114.000.
Komuniteti serb në Kosovë i përket besimit të krishterë ortodoks.
Gjuha
Komuniteti serb në Kosovë flet serbishten, e cila krahas shqipes, është njëra nga dy gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës.
Problemet kryesore me të cilat përballen
Siguria dhe liria e lëvizjes
Në mbarë Kosovën, Policia e Kosovës (PK) dhe KFOR-i janë përgjegjës për sigurinë. Gjendja e sigurisë është mjaft stabile dhe nuk është raportuar ndonjë incident i madh ndëretnik.
Ekonomia
Në komunat ku komuniteti serb përbën mbi 40% të popullsisë, norma e papunësisë brenda këtij komuniteti sillet në mes të 40% dhe 75%; përjashtim nga kjo bënë Novobërda, ku papunësia në mesin e serbëve është 90% (kjo komunë ka një normë veçanërisht të lartë të papunësisë, madje edhe kur krahasohet me normën e përgjithshme të papunësisë në vend). Mendohet se kjo është për shkak të faktorëve të tillë si:
mungesa e kualifikimeve,
mungesa e investimeve,
mungesa e informatave mbi mundësitë e punësimit, dhe
mungesa e biznesit privat dhe industrisë.
Megjithatë, edhe pse kjo normë e papunësisë është padyshim e lartë, ajo nuk është aq e lartë në zonat ku popullata serbe është më pak e përqendruar. Kjo normë më e lartë e punësimit është pothuajse sigurisht rezultat i mundësive të punësimit në administratën komunale serbe.
Në zonat ku komuniteti serb përbën në mes të 5% dhe 20% të popullsisë së komunës, norma e papunësisë në mesin e serbëve është paksa më e lartë, dhe sillet nga 75% në 90%; përjashtim këtu bënë Kamenica, ku papunësia vlerësohet të jetë ndërmjet 55 % dhe 65%. Kjo i atribuohet në faktorëve të tillë si:
mungesës së kualifikimeve,
problemeve gjuhësore,
mungesës së investimeve në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe sektorit të bujqësisë,
mungesës së mundësive të punësimit, si dhe informatave mbi ato ekzistueset, dhe
mungesës së kompanive publike.
Megjithatë, në komunat ku komuniteti serb përbën ndërmjet 0,01% dhe 5% të popullsisë së komunës norma e papunësisë në mesin e serbëve është veçanërisht e lartë, dhe sillet nga 90% në 100%.
Arsimi
Në disa komuna, janë vetëm një ose dy shkolla fillore në gjuhën shqipe (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok), ndërsa në komuna të tjera ky sistem funksionon paralelisht me sistemin e plotë arsimor shqip (Novobërdë, Shtërpcë).
Në të gjitha këto komuna, arsimimi në gjuhën serbe ofrohet në nivelin para-shkollor, fillor dhe të mesëm. Në disa komuna madje ofrohet edhe arsimi terciar në gjuhën serbe (Leposaviq, Zubin Potok). Përjashtim bënë Novobërda, ku arsimi publik është në dispozicion vetëm në nivelin fillor. Për arsimim të mëtejshëm, shumica e serbëve shkojnë në Graçanicë, Mitrovicë ose Vranje, në Serbi. Megjithatë, mungesa e arsimit të mesëm paraqet problem serioz.
Në komunat ku serbët përbëjnë në mes të 5 % dhe 20 %, është në dispozicion sistemi parallel i edukimit në gjuhën, zakonisht në nivelin e mesëm. Në nivelin e arsimimit terciar, serbët në përgjithësi duhet të udhëtojnë jashtë komunave të tyre (në Graçanicë, Mitrovicë, Prishtinë; ose në Bujanoc, Vranjë ose në Nish, në Serbi).
Problemet kryesore të cilat ballafaqohet komuniteti serb në aspektin e arsimimit janë si më poshtë:
mungesa e mësimdhënësve të kualifikuar,
mungesa shkollave të cilësisë së lartë,
mungesa e transportit ose transporti joefektiv,
problemet e sigurisë gjatë udhëtimit për në dhe nga shkolla,
mungesa e pajisjeve (teksteve shkollore, kompjuterëve, etj),
infrastruktura e dobët, dhe
problemet më të gjera socio-ekonomike.
Përafërsisht në gjysmën e komunave ku serbët përbëjnë ndërmjet 0,01% dhe 5% të popullsisë, arsimimi në gjuhën serbe ose është fare në dispozicion (Ferizaj, Podujevë, Prizren) ose është në dispozicion vetëm për të nivelin fillor (Deçan, Klinë). Në këto komuna, problemi kryesor për komunitetin serb është padyshim mungesa e arsimimit në gjuhën serbe.
Qasja në kujdesin shëndetësor
Në tëre Kosovën, anëtarët e komunitetit serb përdorin sistemin e kujdesit shëndetësor paralel dhe janë në gjendje të komunikojnë me profesionist të kujdesit shëndetësor në gjuhën e tyre. Çështja kryesore është qasja dhe trajtimi i tyre sa i përket sëmundjeve më të ndërlikuara ku shpesh kërkohet një shumë e caktuar për të udhëtuar, megjithatë, ky problem nuk është i kufizuar për komunitetin serb.
Qasja në institucione të tjera publike
Në shumicën e komunave, komuniteti serb ka pak ose aspak problem në qasjen në institucionet publike, pasi që ata janë në gjendje të komunikojnë me ta dhe që të marrin dokumentacionin në gjuhën serbe (si gjuhë zyrtare e Kosovës).
Komuniteti Turk Shpërndarja gjeografike
Komuniteti turk në Kosovë është i përqendruar kryesisht në komunat e Prizrenit (6,9%)1 , Mitrovicës (3%) dhe Istog (3,33%), ndonëse kjo shifër përfshin boshnjakët).
Numër të vogël pjesëtarësh të komunitetit turk ka edhe në:
Ferizaj 0.02%, përgjithësisht në qytetin e Ferizajt.
Gjilan 1.3%, kryesisht në qytetin e Gjilanit.
Prishtinë 0.7%, kryesisht në qytetin e Prishtinës.
Vushtrri 0.45% kryesisht në qytezën e Vushtrrisë.
Kultura dhe feja
Në Kosovë ka pasur një numër të madh pjesëtarësh të komunitetit turk qysh prej pushtimit osman të saj, në shekullin e katërmbëdhjetë. Në përgjithësi, ky komunitet ka qenë i qëndrueshëm, i integruar në shoqërinë kosovare dhe aktiv në të gjitha aspektet e jetës kulturore, sociale dhe politike.
Për shkak të mungesës së statistikave të besueshme, të dhënat demografike mbi turqit kosovarë kanë qenë objekt diskutimi dhe shtrembërimi, dhe duhet trajtuar me maturi. Numri i pjesëtarëve të komunitetit turk llogaritet të jetë rreth 1% të numrit të gjithëmbarshëm të popullsisë së Kosovës, gjë që përputhet me rreth 19.000 persona.
Gjuha
Turqit në Kosovë flasin një dialekt lokal të turqishtes, por zakonisht flasin edhe shqipen dhe serbishten.
Problemet kryesore me të cilat përballen
Përfaqësimi politik
Përfaqësimi i drejtpërdrejtë politik i komunitetit turk në institucionet komunale është minimal:
Përfaqësimi është më i fuqishmi në Prizren, ku komuniteti turk është i përqendruar në numër më të madh. Atje, tre (3) turqit janë zgjedhur në Kuvendin Komunal, dhe KDTP (Partia Demokratike Turke e Kosovës) është njëra nga katër partitë e koalicionit qeverisës.
Në Prishtinë, një (1) turk i cili përfaqëson partinë turke KDTP është zgjedhur në Kuvendin Komunal, dhe në Ferizaj raportohet së një turk punon në qeverinë komunale.
Natyrisht, të gjitha komunitetet janë gjerësisht të përfaqësuar nga ana e Komisionit komunal për Komunitetet dhe nga Zyra Komunale e Komuniteteve; dhe në Gjilan, Kryesuesi i Komitetit për Komunitetet është pjesëtar i komunitetit turk.
Siguria dhe liria e lëvizjes
Komuniteti turk nuk ka raportuar ndonjë shqetësim sa i përket sigurisë dhe ky komunitet duket përgjithësisht i kënaqur me punën e forcave të sigurisë, përfshirë edhe PK-në.
Ekonomia
Informatat mbi normën e papunësisë brenda komunitetit turk janë të pakta, ndoshta për shkak se shpesh nuk bëhet dallimi në mes të shifrave të turqve dhe shqiptarëve. Në ato komuna për të cilat ka informata, shifrat ndryshojnë mjaft shumë, nga një shifra jashtëzakonisht e ulët prej 35% (Prishtinë) deri te ato standarde që sillen nga 70% (Mitrovicë) në 90% (Ferizaj).
Varësisht nga komuna në komunë, komunitetet janë të punësuar kryesisht në sektorin e bujqësisë (Gjilan), bizneset e vogla, sektorin privat (Prishtinë), dhe një numër i vogël syresh në sektorin publik.
Problemet kryesore me të cilat përballen komunitetet në komunat përkatëse janë si më poshtë:
mungesa e kualifikimeve,
mungesa e informatave mbi mundësitë për punësim,
problemet gjuhësore dhe
gjendja e varfër e ekonomisë, në tërësi.
Arsimi
Komunat me një numër më të madh pjesëtarësh të komunitetit turk ofrojnë pak arsimim publik në turqisht (Gjilan, Mitrovicë, Prizren). Megjithatë, në disa komuna, kjo ofrohet vetëm në nivelin fillor (Mitrovicë), ndërsa në të tjerat është vënë re si problematike cilësia e dobët e arsimimit të mesëm (Prizren).
Më në përgjithësi, problemet kryesore me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit sa i përket qasjes në arsim janë:
pamjaftueshmëria e teksteve shkollore cilësore,
mungesa e transportit adekuat, dhe
Infrastruktura e dobët arsimore.
Qasja në kujdesin shëndetësor
Komuniteti turk nuk ka raportuar ndonjë problem sa i përket qasjes në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Qasja në institucione të tjera publike
Në Gjilan, ku turqishtja është gjuhë zyrtare, jo të gjitha dokumentet zyrtare publikohen në turqisht. Pjesëtarët e komunitetit gjithashtu janë përballur me vështirësi në komunikimin me institucionet publike, pasi që disa zyrtarë publikë nuk e njohin gjuhën turke.
1 Vini re se kjo shifër është e saktë vetëm deri para themelimit të komunës së banuar me turq të Mamushës (shih pjesën IV.B).
Komuniteti Boshnjak Shpërndarja gjeografike
Komunitetit boshnjak është më së shumti i përqendruar në Prizren, ku përbën rreth 10.01% të popullsisë së komunës, kryesisht në qytetin e Prizrenit, në Zhupë dhe në pjesën rurale të Prizrenit, dhe në Dragash, ku përbën rreth 25% (megjithëse duhet të kini parasysh se kjo shifër përfshin edhe komunitetin goran), dhe banojnë kryesisht në rajonin e Gorës.
Në komuna të tjera, komuniteti boshnjak është shumë më i vogël, ku përbën ndërmjet 0,02% dhe 4% të popullsisë komunale:
Deçan 0.57%, shumica e pjesëtarëve të komunitetit jetojnë në Dubovik, Shaptej, Irzniq, Gramaqel, Deçan, Prapaqan, Pozhar, Baballoq dhe Pemiste.
Ferizaj 0.02%, pjesëtarët e komunitetit në përgjithësi jetojnë në qytetin e Ferizajt.
Fushë Kosovë 0.08%.
Gjakovë 0.02%, të cilët jetojnë në qytetin e Gjakovës.
Istog 3.33% (vini re se kjo shifër përfshin edhe turqit).
Leposaviq 3%, të shpërndarë në tërë komunën.
Mitrovicë 3%, kryesisht në qytetin e Mitrovicës.
Mitrovicë (veri) 2%, në veri, shumica e boshnjakëve jetojnë në qytetin e Mitrovicës Veriore.
Obiliq 0.02%, kryesisht në qytezën e Obiliqit.
Pejë 4%, të përqendruar kryesisht në qytetin e Pejës dhe në fshatrat Livosan dhe Vitomiricë.
Prishtinë 0.2%, kryesisht në qytetin e Prishtinës (vini re se kjo shifër përfshin edhe goranët).
Skënderaj 0.02%, disa pjesëtarë të komunitetit jetojnë në qytezën e Skenderajt, të tjerët jetojnë kryesisht në fshatrat e banuara me serbë Bajë dhe Syriganë.
Zveçan 0.3%, të cilët jetojnë kryesisht në qytetin e Zveçanit.
Kultura dhe feja
Pjesëtarët e komunitetit boshnjakë që jetojnë në Kosovë janë mysliman. Në Kosovë boshnjakët mund të ndahen në dy grupe. Grupi i parë përbëhet nga ata që migruan në Kosovë në kohë të ndryshme nga Bosnja, Mali i Zi dhe më së shumti, nga regjioni I Sanxhakut, sidomos pas përfundimit të sundimit osman në rajon. Ky grup është i përqendruar përreth rajonit të Pejës, Istogut dhe Mitrovicës, dhe në një masë më të vogël, në Prishtinë. Grupi i dytë përbëhet nga ata që kanë jetuar tradicionalisht kryesisht në rajonet e Prizrenit, Dragashit dhe Zhupës.
Boshnjakët konsiderohet se përbëjnë rreth 57.000 pjesëtarë të këtij komuniteti, e cila shifër përputhet me rreth 3% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Gjuha
Gjuha e komunitetit boshnjak është boshnjakishtja.
Problemet kryesore me të cilat përballen
Përfaqësimi politik
Në tri komunat ku pjesëtarët e komunitetit boshnjak përbëjnë rreth 4% të popullsisë së komunës, ka përfaqësim shtesë të boshnjakëve në kuadër të institucioneve komunale.
Në Dragash, katër (4) pjesëtarë të komunitetit boshnjak janë zgjedhur në detyrë në Kuvendin Komunal. Sipas OSBE-së, 31.5% e nëpunësve civilë janë pjesëtarë të komuniteteve.
Në Prizren, katër (4) boshnjakë janë zgjedhur në Kuvendin Komunal dhe koalicioni boshnjak VAKAT është njëra nga katër partitë e përfaqësuara në koalicionin qeverisës komunal.
Në Pejë, dy (2) përfaqësues boshnjakë janë zgjedhur Kuvendin Komunal. Zyra Komunale e Komuniteteve dhe Komisioni për Komunitete kryesohen nga përfaqësues boshnjakë.
Ekziston një përfaqësim i drejtpërdrejtë edhe në zonat me të vogla të banuara me pjesëtarë të komunitetit boshnjak. Për shembull, në Istog, një (1) përfaqësues boshnjak është zgjedhur në Kuvendin Komunal, dhe në Ferizaj, raportohet se (2) boshnjakë janë të punësuar në qeverinë komunale.
Natyrisht, interesat e komuniteteve janë përgjithësisht të përfaqësuar gjerësisht në sistemin komunal nëpërmjet Komisionit të Komuniteteve dhe Zyrës Komunale të Komuniteteve. Më tej, në zonat ku komunitetet përbëjnë më shumë se 10% të popullsisë komunale, interesat e përgjithshme të komunitetit përfaqësohen edhe në Kuvendin Komunal përmes një Zëvendës-kryesuesi për Komunitetet ose Zëvendëskryetari të Komunës për Komunitete, megjithëse duhet pasur parasysh se këto poste mund të merren nga një anëtar i cilitdo komuniteti, jo domosdoshmërish i komunitetit boshnjak.
Siguria dhe liria e lëvizjes
Komuniteti boshnjak nuk ka raportuar ndonjë shqetësim të madh sa i përket sigurisë, dhe ky komunitet duket përgjithësisht i kënaqur me punën e forcave të sigurisë, përfshirë PK-në. Shifrat e OSBE-së tregojnë se përfaqësim mesatar, por sporadik, të boshnjakëve në këtë të fundit (Fushë Kosovë, 2 nga 62; Leposaviq, 1 nga 54).
Herë pas here, gjendja përgjithësisht e tensionuar e sigurisë mund të ketë ndikim negativ në lirinë e lëvizjes së të gjitha komuniteteve në një komunë (Mitrovicë, Obiliq). Gjithashtu ka raporte për diskriminimin nga ana e komunitetit shumicë, por këto raporte janë të vagullt dhe nuk përmendin një komunitet specifik të diskriminuar (Dragash).
Ekonomia
Informatat mbi papunësisë te komuniteti boshnjak janë të rralla, por një shqyrtim i shifrave në dispozicion sugjeron se ajo sillet nga 75% në 95% në të gjitha komunat në të cilat është i pranishëm ky komunitet.
Varësisht nga komuna në komunë, komunitetet janë kryesisht të punësuar në sektorin e bujqësisë (Dragash), punë fizike (Gjakovë), biznesin e vogël, dhe në shifra të vogla në sektorin publik, në institucionet zyrtare të sektorit publik.
Problemet kryesore me të cilat përballen komunitetet janë si më poshtë:
mungesa e kualifikimeve,
mungesa përvojës së punës,
problemet gjuhësore,
mungesa e informatave mbi mundësitë e punësimit,
vështirësi në qasjen në institucione publike dhe ndërmarrje private,
mungesa e bizneseve/fabrikave të mëdha,
mungesa e zhvillimit në sektorin industrial, dhe
gjendja e varfër e ekonomisë, në tërësi.
Komunitetet në Mitrovicë dhe disa nga komunat përreth kanë vënë gjithashtu në dukje rihapjen e ngadalshme të Minierës së Trepçës në veri si një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në normën e papunësisë.
Arsimi
Në zonat ku komuniteti boshnjak përbën mbi 4% të popullsisë janë në dispozicion disa objekte arsimore në gjuhën boshnjake.
Në Prizren, për shembull, arsimimi publik ofrohet në nivelin para-shkollor, fillor dhe të mesëm, në gjuhën shqipe, boshnjake dhe në gjuhën turke. 3495 boshnjakë janë të regjistruar në sistemin zyrtar të arsimit publik, i cili punëson 315 boshnjakë. Megjithatë, sipas administratës komunale, në dhjetor 2008 mungesa e arsimimit të mesëm të cilësisë së lartë në gjuhën boshnjake dhe turke është konsideruar të jetë problem.
Në Pejë, objektet shkollore zyrtare, shtetërore të Kosovës ofrojnë arsimim si në gjuhën shqipe ashtu edhe ne atë boshnjake, në nivelin fillor dhe të mesëm. 1001 boshnjakë janë të regjistruar në institucionet e arsimit, e cila punëson 90 boshnjakë.
Në Istog, megjithëse komuniteti boshnjak përbën vetëm 3% të popullsisë së komunës (bashkë me komunitetin turk), ekzistojnë dy shkolla fillore dhe të mesme në në gjuhën boshnjake.
Përjashtim këtu bënë Dragashi, ku arsimimi është në dispozicion vetëm në shqip dhe serbisht, përkundër pranisë së një numri të madh pjesëtarësh të komunitetit boshnjak në këtë komunë (25%, bashkë me komunitetin goran). Vlerësohet se rreth 70% e nxënësve boshnjakë/goranë ndjekin sistemin arsimor të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu ia vlen të vihet re se gjatë periudhës 1999 2001, në Gjakovë ka funksionuar një klasë në gjuhën boshnjake, prej gjashtë deri në shtatë nxënësish, por është shuar për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe mungesës së fondeve për të paguar mësimdhënësit.
Problemet e përgjithshme me të cilat përballen komunitetet në komuna të caktuara përfshijnë:
gjendjen e të ulët social-ekonomike (si për komunitetet pakicë ashtu edhe për shumicën),
mungesa e herëpashershme e transportit,
mungesa e shkollave të cilësisë së lartë,
infrastruktura e dobët arsimore, dhe
Pamjaftueshmëria e teksteve shkollore cilësore.
Qasja në kujdesin shëndetësor
Komuniteti boshnjak nuk ka raportuar ndonjë problem sa i përket qasjes në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Qasja në institucione të tjera publike
Në përgjithësi, komuniteti boshnjak nuk ka raportuar ndonjë problem sa i përket qasjes në institucionet e tjera publike. Disa pjesëtarë të komuniteteve kanë raportuar vështirësi sa i përket qasjes fizikisht në institucione, zakonisht për shkak të mungesës së transportit.
Në Prizren, ka pasur raporte se pjesëtarët e komuniteteve janë përballur me vështirësi gjatë komunikimit me institucionet publike, megjithëse ky problem nuk duket të jetë i përhapur.
Komuniteti Romë Shpërndarja gjeografike
Në disa komuna, komuniteti romë përbën ndërmjet 2% dhe 5% të popullsisë komunale:
Prizren 4.2%, kryesisht në qytetin e Prizrenit.
Obiliq 2.4%, në fshatrat Plemetin, Milloshevë, Babimoc, Caravodicë dhe Janjina Voda.
Pejë 2%, kryesisht në qytetin e Pejës.
Mitrovicë 2% (5% në pjesën veriore), kryesisht në kampe refugjatësh në periferi të qytetit.
Në zona të tjera komunitetit rom përbën 1% ose më pak të numrit të gjithëmbarshëm të popullatës komunale:
Deçan 0.06%, në qytezën e Deçanit dhe në fshatrat Dubovik, Shaptej, Irzniq, Gramaqel, Prapaqan, Pozhar dhe Baballoq.
Ferizaj 0.2%, kryesisht në qytetin e Ferizajt.
Fushë Kosovë 0.35%, kryesisht në fshatrat Uglare, Kuzmin, Batushë dhe Bresje.
Gjakovë 0.35%, kryesisht në qytetin e Gjakovës.
Gjilan 0.4%, numër i vogël pjesëtarësh të komunitetit në qytetin e Gjilanit.
Istog 0.11%.
Kamenicë 1%, kryesisht në periferi të qytezës së Kamenicës.
Kaçanik 0.01%, kryesisht në qytezën e Kaçanikut.
Klinë 0.27%, kryesisht në qytezën e Klinës.
Leposaviq 1% (RAE), kryesisht në kampin e refugjatëve në qytezën e Leposaviqit.
Lipjan 0.7%, kryesisht në fshatrat Gushtericë e Epërme, Lepinë, Radevë, Skullan, Suvidoll, Lagja e Re, Gracë, Dobratin dhe Rubovc.
Malishevë 0.01%, një numër i vogël pjesëtarësh të komunitetit që jetojnë në qytezën e Malishevës dhe fshatrat e Bajë, Stapanic dhe Kijevë.
Novobërdë 0.5%, kryesisht në fshatrat Bostan dhe Prekoc.
Podujevë 0.3%, kryesisht në qytezën Podujevës.
Prishtinë 0.3%, në numër të vogël në disa nga fshatrat përreth Graçanicës, si Llapje Sello dhe Preoc; asnjë rom në qytetin e Prishtinës.
Rahovec 0.5%, kryesisht në pjesën veriore të qytezës së Rahovecit ose në fshatrat përreth qytetit.
Shtime 0.02%.
Shtërpcë 0.5%, kryesisht në qytezën e Shtërpcës dhe në Drajkovc.
Suharekë 0.04%, në qytezën e Suharekës, dhe të shpërndarë në shtatë fshatra përreth komunës: Delloc, Mushtisht, Dvoran, Sopi, Leshan, Reqan dhe Mohlan.
Viti 0.03%, kryesisht në qytezën e Vitisë.
Vushtrri 0.27%, kryesisht në qytezën e Vushtrrisë dhe në Prelluzhë.
Zveçan 0.1%, kryesisht në qytezën e Zveçanit.
Kultura dhe feja
Komuniteti rom gjurmon rrënjët e veta që nga shteti modern Indian i Rajasthan. Romët kryesisht flasin gjuhën e tyre amtare dhe zakonisht janë bilingualë në shqip dhe/ose serbisht. Romët kryesisht i përkasin fesë islame, ndonëse disa e identifikojnë veten si të krishterë ortodoksë. Nëpër Kosovë, romët shpesh jetojnë në zona të banuara me shumicë serbe, si në Graçanicë.
Gjuha
Romët në Kosovë përgjithësisht flasin ose gjuhën rome ose atë serbe si gjuhë të tyre të parë, megjithëse në disa komuna të dominuara me shqiptarë ata flasin shqip (p.sh., në Kaçanik, Malishevë). Aktualisht po punohet me komunitetin romë në zhvillimin e një gjuhe rome të standardizuar.
Problemet kryesore me të cilat përballen
Përfaqësimi politik
Nuk ka përfaqësim të drejtpërdrejtë të romëve në asnjë prej komunave ku ata banojnë. Në disa komuna, romët janë të punësuar në shifra shumë të vogla si nëpunës civilë të qeverive komunale (Rahovec, 1; Ferizaj, 2).
Natyrisht, të gjitha komunitetet janë të përfaqësuara gjerësisht në kuadër të Komisionit Komunal për Komunitete dhe Zyrës Komunale të Komuniteteve, edhe pse në asnjë komunë këto institucione nuk kryesohen nga pjesëtarë të komunitetit romë. Në zonat ku komunitetet përbëjnë më shumë se 10% të popullsisë së komunës, interesat e përgjithshme të komuniteteve përfaqësohen edhe në Kuvendin Komunal përmes një Zëvendës-kryesuesi për Komunitete. Përsëri edhe në këtë rast, në asnjë komunë këtë pozitë nuk e mban ndonjë pjesëtar i komunitetit romë.
Siguria dhe liria e lëvizjes
Pjesëtarët e komunitetit romë kanë raportuar probleme në komunat e Obiliqit dhe Prishtinës.
Pjesërisht për shkak të incidenteve të tilla, shumica e pjesëtarëve të komuniteteve në këtë komunë përballen me disa kufizime të lirisë së lëvizjes edhe pse duhet vënë në dukje se jo të gjithë pjesëtarët e komunitetit romë përballen me këso problemesh.
Në komunën e Prishtinës, disa pjesëtarë të komunitetit romë kanë raportuar se ndjehen të pasigurt për të udhëtuar në qytetin e Prishtinës.
Ekonomia
Shifrat e papunësisë te komuniteti romë janë veçanërisht të larta, madje edhe krahasuar me standardet e Kosovës. Në komunat e sipërpërmendura, norma e papunësisë te romët sillet ndërmjet 95% dhe 100%. Pjesëtarët e këtij komuniteti zakonisht mbijetojnë me të hollat që dërgohen nga anëtarët e familjes jashtë vendit, punë fizike të herëpashershme ose aktivitet bujqësor në shkallë të vogël; disa syresh janë të punësuar në institucione publike, zyrtare.
Kjo normë e lartë e papunësisë i atribuohet pozitës së varfër socio-ekonomike të romëve, mungesës së kualifikimeve, mungesës së informatave mbi mundësitë për punësim dhe diskriminimit institucional.
Arsimi
Pjesëtarët e komunitetit romë ndjekin shkollimin në sistemin arsimor zyrtar. Edhe pse arsimimi zakonisht ofrohet në shqip, respektivisht në serbisht, në strukturat paralele të arsimit në Obiliq, Fushë Kosovë dhe në pjesën veriore të Mitrovicës ofrojnë edhe kurse në gjuhën rome.
Megjithatë, norma e ndjekjes së shkollimit nga fëmijët romë është më e ulët se te komunitetet e tjera, dhe kjo u atribuohet aspekteve kulturore dhe sociale të tilla si diskriminimi dhe vlefta e ulët sociale që i jepet arsimimit nga disa pjesëtarë të komuniteteve RAE, si dhe gjendjes së tyre të vështirë ekonomike.
Qasja në kujdesin shëndetësor
Në komunat me shumicë shqiptare, pjesëtarët e komunitetit romë flasin shqipen dhe kanë qasje në institucionet e shëndetësisë (Kaçanik dhe Malishevë).
Qasja në institucione të tjera publike
Pjesëtarët e komunitetit romë nuk kanë raportuar ndonjë problem sa i përket qasjes në institucionet e tjera publike.
Problemet e tjera
Në mbarë Kosovën, njëri nga problemet kryesore me të cilën përballen komunitetet RAE është mungesa e dokumenteve pronësore.
Komuniteti Ashkali Shpërndarja gjeografike
Numri më i madh i pjesëtarëve të komunitetit ashkali gjendet në Fushë Kosovë, ku përbën 9,57% të popullsisë komunale (në qytezën e Fushë Kosovës, dhe në fshatrat Lismir e Nakarade).
Në komuna të tjera, të komunitetit ashkali përfshin midis 0.02% dhe 2.5% e popullsisë së komunës:
Deçan 0.02%, kryesisht në qytezën e Deçanit dhe fshatrat Dubovik, Shaptej, Irzniq, Gramaqel, Prapaqan, Pozhar, Baballoq dhe Pemiste.
Ferizaj 2.2%, kryesisht në lagjet Halit Ibishi dhe Koçi Xoxe në qytetin e Ferizajt, dhe në fshatin Dubravë.
Gjakovë 0.128%, ku shumica (65%) prej tyre janë të përqendruar në qytet, dhe pjesa e mbetur prej 35% jetojnë në komunitete të vogla nëpër fshatra të ndryshme të komunës.
Gjilan 0.1%, kryesisht në qytetin e Gjilanit.
Klinë 1.22%, shumica e pjesëtarëve të komuniteteve RAE jetojnë në qytezën e Klinës, por një numër syresh mund të gjenden në pothuajse çdo fshat të komunës.
Leposaviq 1% (RAE), shumica e tyre jetojnë në kampin e refugjatëve në qytezën e Leposaviqit.
Lipjan 2%, shumica e pjesëtarëve të komuniteteve RAE jetojnë në fshatrat Gushtericë, Dobratin, Lepinë dhe Radevë.
Mitrovicë 0.5%, që jetojnë kryesisht në lagjen e Sitnicës.
Obiliq 1.4%, që jetojnë kryesisht në periferi të komunës së Obiliqit.
Podujevë 1.13%, kryesisht në qytezën e Podujevës.
Prishtinë 0.1%.
Prizren 1.3%.
Rahovec 0.5%, shumica jetojnë në pjesën veriore të qytezës së Rahovecit ose në fshatrat përreth qytezës.
Shtime 2.47%, shumica jetojnë në qytezën e Shtimes ose në fshatin Gjyrkovc.
Skënderaj 0.18%, disa pjesëtarë të komunitetit jetojnë në qytezën e Skenderajt.
Suharekë 0.74%, të përqendruar në qytezën e Suharekës dhe të shpërndarë në rreth shtatë fshatra të komunës: Delloc, Mushtisht, Dvoran, Sopi, Leshan, Reqan, Mohlan.
Vushtrri 0.09%, shumica e pjesëtarëve të komuniteteve RAE jetojnë në qytezën e Vushtrrisë dhe në Prelluzhë.
Zveçan 0.1%, shumica pjesëtarëve të tjera të komunitetit jetojnë në qytezën e Zveçanit.
Kultura dhe feja
Komuniteti ashkali gjurmon rrënjët e veta deri në Persi. Ashkalinjtë kryesisht flasin shqip si gjuhë të tyre amtare. Pjesëtarët e këtij komuniteti janë kryesisht të fesë islame.
Gjuha
Komuniteti ashkali në Kosovë flet gjuhën shqipe.
Problemet kryesore me të cilat përballen
Përfaqësimi politik
Përfaqësimi i drejtpërdrejtë politik i komunitetit ashkali në institucionet komunale është minimal:
Në Ferizaj, një (1) përfaqësues ashkali është zgjedhur në Kuvendin Komunal, dhe Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) është njëra nga katër partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës. Siç përmendet më poshtë, përfaqësues ashkali është edhe Zëvendës- Kryesuesi (për komunitete) i Kuvendit Komunal. Sipas shifrave të OSBE-së, katërmbëdhjetë (14) ashkali punojnë për qeverinë komunale.
Si në Fushë Kosovë, ashtu edhe në Lipjan, komuniteti ashkali ishte i vetmi komunitet minoritar që fitoi një (1) vend në Kuvendin Komunal. Vini re se, në rastin e këtij të fundit, ai ishte përfaqësues ashkali që fillimisht qe emëruar si Zëvendës-Kryetar Komune; megjithatë, pasi që komuniteti serb bëri të ditur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me qeverinë komunale, një përfaqësues serb u emërua në vend të tij. Ky emërim ishte bërë megjithëse Partia e Pavarur Liberale nuk kishte asnjë përfaqësues në Kuvendin Komunal, për shkak se serbët përbëjnë komunitetin më të madh minoritar në komunë.
Natyrisht, të gjitha komunitetet janë të përfaqësuara gjerësisht nga një Komision komunal për Komunitetet dhe nga Zyra Komunale e Komuniteteve. Megjithatë duhet pasur parasysh se për shkak të numrit të vogël të pjesëtarëve të komuniteteve që jetojnë në komunë, në Suharekë nuk ka një Zyrë Komunale të Komuniteteve. Në disa komuna, Komisioni për Komunitetet kryesohet nga një pjesëtar i komunitetit ashkali.
Në zonat ku komunitetet përbëjnë më shumë se 10% të popullsisë së komunës, interesat e përgjithshme të komunitetit përfaqësohen edhe në Kuvendin Komunal përmes një Zëvendës-Kryesuesi për Komunitetet ose një Zëvendës-Kryetari të Komunës për Komunitetet. Në Ferizaj ky post mbahet nga përfaqësuesi ashkali në Kuvendin Komunal; në Rahovec ka një Zëvendës Kryetar Komune për Komunitetet.
Siguria dhe liria e lëvizjes
Komuniteti ashkali nuk ka raportuar ndonjë shqetësim të madh sa i përket sigurisë, dhe ky komunitet duket i kënaqur me punën e forcave të sigurisë, përfshirë PK-në.
Ekonomia
Shifrat e papunësisë në mesin e pjesëtarëve të komunitetit ashkali janë veçanërisht të larta, madje edhe kur krahasohen me normën e përgjithshme në nivel të Kosovës. Në komunat e sipërpërmendura, norma e papunësisë te ashkalitë sillet prej 95% deri në 100%. Disa syresh gjejnë punë në sektorin publik apo në bizneset e vogla, por në përgjithësi pjesëtarët e këtij komuniteti bëjnë përpjekje të mëdha për të gjetur punë.
Problemet kryesore me të cilat përballen komunitetet në komunat përkatëse janë si më poshtë:
mungesa e kualifikimeve,
mungesa e informacionit mbi mundësitë për punësim,
problemet gjuhësore,
mungesa e investimeve në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe sektorin e bujqësisë,
qasja e kufizuar në institucionet publike dhe ndërmarrjet private, dhe
gjendja e varfër e ekonomisë, në tërësi.
Arsimi
Pasi që pjesëtarët e komunitetit ashkali flasin shqipen, ata përballen me pak probleme në krahasim me komunitetet e tjera sa i përket qasjes në arsim në gjuhë adekuate për ta, dhe janë përgjithësisht të përfshirë në sistemin zyrtar të arsimimit publik. Sidoqoftë, qasja në arsim mund të vështirësohet nga gjendja e varfër socio-ekonomike e pjesëtarëve të këtij komuniteti, dhe nga aspekte kulturore dhe sociale, siç është diskriminimi dhe vlefta a ulët sociale që i kushtohet arsimimit nga ana e disa prej pjesëtarëve të komuniteteve RAE.
Natyrisht, edhe pjesëtarët e komunitetit ashkali përballen me të njëjtat probleme sikur komunitetet e tjera, siç janë:
infrastruktura e dobët,
mungesa shkollave të mesme cilësore, dhe
mungesa e teksteve shkollore cilësore.
Qasja në kujdesin shëndetësor
Pjesëtarëve të komunitetit ashkali shpesh u mungojnë burimet financiare për të shfrytëzuar shërbimet e kujdesit shëndetësor në mënyrë adekuate.
Qasja në institucione të tjera publike
Në përgjithësi, pjesëtarët e komunitetit ashkali nuk duket se përballen me probleme sa i përket qasjes në institucionet e tjera publike.
Disa pjesëtarë të komuniteteve gjithashtu kanë raportuar se përballen me vështirësi në qasjen fizikisht në institucione publike, zakonisht si rezultat i mungesës së transportit.
Problemet e tjera
Në mbarë Kosovën, një ndër problemet kryesore me të cilën përballen komunitetet RAE është mungesa e dokumenteve pronësore.
Komuniteti Egjiptas Shpërndarja gjeografike
Në disa komuna, pjesëtarët e komunitetit egjiptian përbëjnë ndërmjet 1% dhe 5% të popullsisë komunale:
Gjakovë 4.49%, kryesisht në qytetin e Gjakovës.
Istog 5.44%, të përqendruar në qytezën e Istogut.
Klinë 1.83%, kryesisht në qytezën e Klinës.
Pejë 3%, kryesisht në qytetin e Pejës.
Prizren 2.20%, kryesisht në qytetin e Prizrenit, në Zhupë dhe në pjesën rurale të Prizrenit.
Në komuna të tjera, pjesëtarët e komunitetit egjiptian përbëjnë më pak se 1% të popullsisë komunale:
Deçan 0.96%, kryesisht në qytezën e Deçanit dhe në fshatrat Dubovik, Shaptej, Irzniq, Gramaqel, Prapaqan, Pozhar, Baballoq dhe Pemiste.
Ferizaj 0.03%, kryesisht në lagjet Halit Ibishi dhe Koçi Xoxe të qytetit të Ferizajt, apo në fshatin e Dubravë.
Fushë Kosovë 0.04%, kryesisht në qytezën e Fushë Kosovës.
Leposaviq 1% (RAE), kryesisht në kampin e refugjatëve në qytezën e Leposaviqit.
Lipjan 0.1%, kryesisht në fshatrat Gushtericë, Dobratin, Lepinë dhe Radevë.
Suharekë 0.02%, kryesisht në qytezën e Suharekës dhe të shpërndarë në shtatë fshatra përreth komunës: Delloc, Mushtisht, Dvoran, Sopi, Leshan, Reqan dhe Mohlan.
Kultura dhe feja
Egjiptasit e konsiderojnë veten si një grup paraardhësit e të cilëve vijnë nga Egjipti. Ata i përkasin kryesisht fesë myslimane.
Gjuha
Pjesëtarët e komunitetit egjiptas në Kosovë flasin kryesisht shqipen.
Problemet kryesore me të cilat përballen
Përfaqësimi politik
Përfaqësimi i drejtpërdrejtë politik i komunitetit egjiptas në institucionet komunale është minimal:
Në Istog, komuna me përqendrimin më të madh të egjjiptasve (5.44%), një (1) përfaqësues egjiptas është zgjedhur në Kuvendin Komunal. Komisioni për Komunitete gjithashtu kryesohet nga një egjiptas.
Në Gjakovë, një (1) përfaqësues egjiptas është zgjedhur në Kuvendin Komunal.
Në Pejë, një (1) përfaqësues egjiptas është zgjedhur në Kuvendin Komunal.
Natyrisht, të gjitha komunitetet janë të përfaqësuara gjerësisht në kuadër të Komisionit Komunal për Komunitete dhe Zyrës Komunale të Komuniteteve, edhe pse duhet pasur parasysh se, për shkak të numrit të vogël të pjesëtarëve të komuniteteve që jetojnë në të, në Suharekë nuk ka Zyrë Komunale të Komuniteteve.
Në zonat ku komunitetet përbëjnë më shumë se 10% të popullsisë së komunës, interesat e përgjithshme të komuniteteve përfaqësohen edhe në Kuvendin Komunal përmes një Zëvendës-kryesuesi për Komunitete dhe një Zëvendëskryetari të Komunës për Komunitete; sidoqoftë, për momentin, ky post nuk mbahet nga ndonjë pjesëtar i komunitetit egjiptas.
Siguria dhe liria e lëvizjes
Komuniteti egjiptas nuk ka raportuar ndonjë shqetësim sa i përket sigurisë dhe ky komunitet duket i kënaqur me punën e forcave të sigurisë, përfshirë PK-në.
Ekonomia
Norma e papunësisë te komuniteti egjiptas në komunat përkatëse vlerësohet ndërmjet 90% dhe 100%.
Varësisht nga komuna në komunë, komunitetet janë të punësuar kryesisht në sektorin e bujqësisë, në kompanitë private, dhe një numër i vogël syresh në institucionet zyrtare të sektorit publik.
Problemet kryesore me të cilat përballen komunitetet në komunat përkatëse janë si në vijim:
mungesa e kualifikimeve,
mungesa e informatave mbi mundësitë për punësim,
mungesa e investimeve në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe sektorit të bujqësisë, dhe
gjendja e vështirë ekonomike, në tërësi.
Arsimi
Pasi që e flasin kryesisht shqipen, nxënësit e komunitetit egjiptas shfrytëzojnë institucionet zyrtare të sistemit arsimor publik. Megjithatë, ata kanë tendencë për të lënë shkollën herët (zakonisht për arsyet e mëposhtme).
Problemet kryesore me të cilat përballen komunitetet në komunat përkatëse janë si në vijim:
statusi i ulët socio-ekonomik,
mungesa e shkollave të cilësisë së lartë,
infrastruktura e dobët arsimore, dhe
mungesa e herëpashershme e transportit.
Qasja në kujdesin shëndetësor
Pjesëtarët e komunitetit egjiptas shpesh nuk janë në gjendje që të përballojnë koston e kujdesit shëndetësor.
Qasja në institucione të tjera publike
Pjesëtarët e komunitetit egjiptas nuk kanë raportuar ndonjë problem sa i përket qasjes në institucioneve të tjera publike
Komuniteti Goran Shpërndarja gjeografike
Komuniteti goran në Kosovë është goxha i vogël në numër, dhe është i përqendruar kryesisht në komunën e Dragashit, ku (bashkë me komunitetin boshnjak) përbën rreth 25% të popullsisë së komunës, dhe jetojnë kryesisht në qytetin e Dragashit dhe në fshatrat përreth.
Një numër i vogël pjesëtarësh të komunitetit goran gjithashtu mund të gjenden të shpërndarë nëpër Prizren, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Lipjan.
Megjithatë, duhet pasur parasysh se është vështirë të vlerësosh numrin e saktë të goranëve në Kosovë, pasi që shifrat e tyre shpesh bashkohen me ato të komunitetit boshnjak.
Në komuna të tjera, numri i pjesëtareve të komuniteteve goran/boshnjak1 llogaritet të jetë më pak se 3% të popullatës komunale.
Fushë Kosovë 0.08% (vetëm goranë)
Mitrovicë 3%,
Obiliq 0.2%.
Prishtinë 0.2%.
Prizren 10.01%
Viti 0.17% (vetëm goranë).
Kultura dhe feja
Komuniteti goran është grup islamik sllavo-folës, i cili, ndërsa i lidhur ngushtë me boshnjakët, e konsideron veten një grup etnik në vete. Shumica e popullsisë gorane jetojnë jashtë shtetit, në Serbi, në Maqedoni dhe Shqipëri. Goranët tradicionalisht kanë qenë punëtorë emigrantë, gjë që e bën të vështirë të vlerësosh numrin saktë të tyre. Përveç kësaj, për shkak të faktit se në në regjistrimin e popullsisë të para vitit 1999 goranët (së bashku me boshnjakët dhe torbeshët) janë kategorizuar përgjithësisht si 'myslimanë sllavë', është e vështirë të vlerësosh numrin e saktë të pjesëtarëve të popullsisë gorane.
Gjuha
Gjuha gorane, së cilës i referohen si Nauski (që përafërsisht do të thotë 'e jona'), është e ngjashme me gjuhën e folur në pjesën perëndimore të Maqedonisë dhe megjithëse dallon nga dialektet e tjera sllave që fliten në Kosovë, mund të kuptohet nga folësit e serbishtes, kroatishtes dhe boshnjakishtes. Gjuha gorane më së miri mund të identifikohet si dialekt i gjuhës maqedonase, megjithëse dallon shumë nga maqedonishtja standarde letrare, madje edhe nga fshati në fshat. Kjo gjuhë nuk është standardizuar dhe nuk ka vepra përshkruese shkencore mbi të folmen gorane.
Problemet kryesore me të cilat përballen
Përfaqësimi politik
Në Dragash, dy (2) pjesëtarë të komunitetit goran janë zgjedhur në Kuvendin Komunal.
Natyrisht, të gjitha komunitetet janë të përfaqësuara gjerësisht në kuadër të Komisionit Komunal për Komunitetet dhe Zyrës Komunale të Komuniteteve, edhe pse në asnjë komunë këto institucione nuk kryesohen nga pjesëtarë të komunitetit goran. Për më tepër, në zonat ku komunitetet përbëjnë më shumë se 10% të popullsisë komunale, interesat e përgjithshme të komuniteteve përfaqësohen edhe në Kuvendin Komunal përmes një Zëvendës-kryesuesi për Komunitete dhe një Zëvendëskryetari të Komunës për Komunitete; edhe në këtë rast, ky post në asnjë komunë nuk mbahet nga ndonjë pjesëtar i komunitetit goran.
Siguria dhe liria e lëvizjes
Komuniteti egjiptas nuk ka raportuar ndonjë shqetësim sa i përket sigurisë, dhe ky komunitet duket i kënaqur me punën e forcave të sigurisë, përfshirë PK-në.
Ekonomia
Informatat mbi punësimin e pjesëtarëve të komunitetit goran janë mjaft të pakta, por shifrat për Dragash dhe Mitrovicë tregojnë se norma e papunësisë është e lartë, rreth 90% -95%.
Problemet kryesore me të cilat përballen komunitetet në komunat përkatëse janë si në vijim:
mungesa e kualifikimeve,
mungesa e informatave mbi mundësitë për punësim,
problemet gjuhësore
mungesa e zhvillimit të industrisë, dhe
gjendja e rëndë e ekonomisë, në tërësi.
Arsimi
Vlerësohet se rreth 70% e nxënësve boshnjakë/goranë ndjekin shkollimin në kuadër të sistemit arsimor komunal, në shqip.
Qasja në kujdesin shëndetësor
Pjesëtarët e komunitetit goran nuk kanë raportuar ndonjë problem sa i përket qasjes në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Qasja në institucione të tjera publike
Pjesëtarët e komunitetit goran nuk kanë raportuar ndonjë problem sa i përket qasjes në institucionet e tjera publike.
1 Këto shifra janë kombinim i informatave mbi komunitetin goran dhe atë boshnjak.